
Pamjet e foshnjës 3 muajshe të nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese të shembur si pasojë e rrëshqitjes së dheut pas përmbytjeve në qytetin e Zhengzhou, bënë shpejt xhiron e rrjetit, duke mallëngjyer botën.
Ajo që e bën më emocionuese historinë, është fakti se vogëlushja mundi të shpëtonte pas 24 orësh nën rrënoja, falë përpjekjeve të së ëmës, e cila fatkeqësisht nuk mbijetoi.
“Dëgjova zërin e bebes dhe në atë moment ekipet e shpëtimit sapo kishin mbërritur, duke mundur të shpëtojnë fëmijën. Vajza ishte ngritur në një zonë më të lartë nga nëna e saj”, rrëfeu një i afërm i familjes.
Trupi i nënës u zbulua të enjten. Ekipet e shpëtimit të cituara nga mediat në Pekin, thanë se trupi i gruas kishte qenë në pozicion të tillë që sugjeronte se po ngrinte diçka.
“Pikërisht në atë moment vendimtar gruaja kishte ngritur foshnjën, dhe për këtë arsye ajo mbijetoi”, dëshmon një pjesëtar i ekipit të shpëtimit.
Reshjet e dendura dhe përmbytjet lanë pas shkatërrim dhe kaos në rajon, gjatë javës së fundit. Rrugët kryesore u kthyen në lumenj, me automjetet, mbeturina e madje edhe njerëz që u tërhoqën zvarrë nga rryma. Të paktën 12 fëmijë humbën jetën në Zhengzhou, ku uji përmbyti një stacion metroje mbrëmjen e së hënës. (A2 Televizion)