E grabitur në Rumani dhe e trafikuar në SHBA, ribashkohet me familjen pas 25 viteve

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2020, 18:18 | Lifestyle

Një grua amerikane e cila ishte grabitur në vendlindjen e saj në Rumani, 25 vite më parë, u ribashkua së fundmi me familjen.

Belle Barbu ishte lindur në një familje të varfër në Rumani, të cilës i ishte thënë se vajza kishte një sëmundje në zemër dhe pas disa kohës kishte ndërruar jetë në spital. Në të vërtetë ajo ishte grabitur dhe ishte dërguar në një jetimore që merrej me trafikimin e fëmijëve, për t’u birësuar nga një familje amerikane kundrejt një pagese të majme.

Tashmë 25 vjeç, ajo është ribashkuar me prindërit biologjik, në një takim tepër emocionues. Belle, e cila jeton në shtetin Jutah, u nxit nga miqtë e saj që të bënte një test ADN-je, sipas të cilit, trashëgimia e saj gjenetike rezultoi nga India, Izraeli dhe disa pjesë të Evropës. Një mik i saj, gjithashtu një fëmijë i trafikuar nga Rumania, shpërndau rezultatin në një grup në Facebook të ngritur për të ndihmuar fëmijët e grabitur në Rumani, që deri tani ka arritur të ribashkojë 500 familje.

Më pas ajo vendosi t’i drejtohej një organizate jo fitimprurëse, e cila përmes një hetuesi privat në Rumani arriti të konfirmonte përputhjen e ADN-së së saj me atë të familjes. Vetëm atëherë ajo zbuloi historinë e vërtetë dhe të trishtë të jetës së saj.

Belle udhëtoi për në Foxha të Italisë në nëntor 2019, ku jetonte familja e saj, e cila ishte larguar nga Rumania. Takimi emocionues, ku edhe prindërit adoptiv takohen me ata biologjik, u filmua dhe historia u përhap në disa media lokale amerikane.

“Praktikisht më kanë rrëmbyer nga prindërit dhe më kanë treguar një histori krejt tjetër. Nuk e di ende se si ta falënderoj zotin që na bashkoi. Ishte një mrekulli”, tha Belle për “Desert News”. “Nuk kisha qarë kurrë më parë kaq shumë në jetën time”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos