E “largoi” nga Shqipëria, De Biasi e “ngre në qiell” Rrahmanin

Nga A2 CNN
27 Qershor 2019, 12:24 | Futboll

E nisi karrierën me Drenicën në Kosovë, më pas u transferua te Partizani, por tashmë Rrahmani është pjesë e Serie A, pasi luajti për 4 vite edhe në kampionatin kroat.

Në kohën kur luante me Partizanin, Rrahmani zhvilloi edhe 9 ndeshje me ekipin Shpresa të Shqipërisë, ndërsa pasi u transferua te RNK Split në Kroaci, ai luajti në dy ndeshje edhe me kombëtaren kuqezi. Por kur të gjithë po mendonin se Rrahmani do të ishte një pasues i Lorik Canës te Shqipëria, ai u bë pjesë e 3 lojtarëve që u lanë jashtë Europianit të Francës, së bashku me Rashicën dhe Gjimshitin.

Amir Rrahmani me skuadrën e Partizanit

Pas këtij vendimi të trajnerit të atëhershëm De Biasi, Rashica dhe Rrahmani e braktisën kombëtaren e Shqipërisë për përfaqësuesen e Kosovës, duke u kthyer tashmë në lojtarët më të rëndësishëm të “dardanëve” që janë duke shkëlqyer.

Por ndërsa në 2016-n, Rrahmani ishte i padëshiruar për De Biasin, në një intervistë të dhënë një ditë më parë për “La Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i kombëtares shqiptare e ka ngritur në qiell mbrojtësin e Kosovës, teksa ka komentuar transferimin e tij te Verona.

De Biasi dhe stafi i tij në ndeshjen Shqipëri-Rumani në Euro 2016. (1-0 me gol nga Armando Sadiku)

“Është një mbrojtës qendror, fizikisht i fortë, i aftë në topa të larta, me një vizion të mirë të lojës. Natyrisht, përvoja në Serie A është ndryshe nga ajo që e ka fituar ai deri më tani. Por, me Dinamo Zagrebin, ai e ka fituar kampionatin kroat, një garë që e ndjek vazhdimisht, niveli i së cilës është shumë ndryshe”, është shprehur De Biasi.

Rrahmani teksa firmos kontratën e re me Veronën në Serie A

Rrahmani, tashmë  në moshën 25-vjeçare, do të vazhdojë karrierën e tij me Veronën në Itali, ndërsa është shtylla e mbrojtjes së Kosovës, ku po vendos rekorde. Në anën tjetër, një ndër repartet që Shqipëria vijon të vuaj që pas Europianit është pikërisht mbrojtja... (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos