
E parrethuar dhe pa ruajtje, ish-fusha e grumbullimit të mbetjeve urbane në Korçë, përbën një rrezik për shëndetin e popullatës në këtë zonë. Në letra rezulton e izoluar, por faktikisht mes mbetjeve kullosin kafshë që rriten e mbarështohen për mish.
Kjo është ish-fusha e mbetjeve urbane të Korçës. Prej vitesh, mbetjet janë lënë në dorë të natyrës pa asnjë lloj trajtimi. Edhe pse në letra, vendgrumbullimi i dikurshëm rezulton i rrethuar dhe nuk lejohet të futen as njerëzit dhe as kafshët, situata që në realitet paraqitet është krejt ndryshe.
Nuk mungojnë as mjetet që futen për të shkarkuar mbeturina të tjera.
Situata në këtë vendgrumbullim të mbetjeve urbane, është problematike edhe sa i takon sigurisë së konsumatorit si nga ana e mjedisit, ashtu edhe nga zinxhiri ushqimor, pasi derrat që ushqehen me këto mbetje, një ditë do të përfundojnë në tryezat tona.
Ndërhyrja sa më shpejt për të ndaluar të paktën futjen e kafshëve dhe ndalimin e depozitimit të mbetjeve të tjera do të ishte hapi i parë për rritjen e sigurisë së popullatës në këtë zonë. (A2 Televizion)