
Për gati dy orë me radhë ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dha shpjegime të enjten në SPAK për akuzat e ngritura ndaj tij në hetimin për inceneratorin e Fierit. Bllako u shoqërua në godinën e Prokurorisë së Posaçme nga burgu 313, ku qëndron prej dy javësh, pas arrestimit të tij për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.
Burime pranë SPAK konfirmuan për A2CNN, se para dy agjentëve të BKH, Bllako, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe ish-drejtues i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, mbajti qëndrim për secilën nga akuzat.
Ai ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë kompetencë në relacionin e paraqitur në qeveri për shpronësimin e truallit të inceneratorit, ku sipas SPAK, prona “tokë arë” është paraqitur në mënyrë të rreme si “toke truall”.
Sipas Bllakos, relacioni është bërë nga një komision dhe ai vetëm ka përcjellë shkresën në kryeministri.
Bllako ka përjashtuar veten edhe nga vendimmarrja për zgjatjen e dy kontratave, duke pretenduar se agjencia që ai drejtonte nuk ishte autoritet kontraktor. Qëndrim mohues ai ka mbajtur edhe për “korrupsionin”.
Pas Bllakos, SPAK pritet të marrë në pyetje gjatë së premtes ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për hetimin e inceneratorit të Fierit dhe të Elbasanit. Në të dy hetimet, Koka akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.
Koka do të shoqërohet nga paraburgimi i Durrësit, ku ai është zhvendosur disa ditë më parë. Sipas burimeve, largimi i tij nga paraburgimi 313 u bë jo vetëm për shkak të afërsisë me familjen, rezidentë në qytetin e Durrësit, por në këtë fazë të hetimit edhe për të shmangur kontaktet e ish-vartësin e tij, Alqi Bllako. (A2 Televizion)