
Të gjithë duan të kenë në skuadrën e tyre Frenkie de Jong. Mesfushori energjik është lojtari i momentit në Europë, pasi ka shkëlqyer për Ajax gjatë gjithë fazës së parë të sezonit.
Manchester City, Barcelona dhe Bayern Munchen janë të gjithë të interesuara për të, por duket se Paris SG do t’ia kalojë të gjithëve dhe do të sigurojë firmën e holandezit.
Por pavarësisht se kush do të jetë skuadra me fat që do ta marrë lojtarin, duket e sigurt që Ajax do të arkëtojë diku te 75 milionë euro për të. Shifra të larta edhe për një prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian.
Megjithatë, skuadra që do të përfitojë më tepër nga shitja e talentit 21-vjeçar është Willem II, skuadra e vogël që në vitin 2015 e shiti lojtarin për shumë simbolike të 1 eurove.
Por, duke besuar te talenti i tij, drejtuesit vendosën një klauzolë në të cilën ata sigurojnë 10% të vlerës së rishitjes së tij nga Ajax. 7,5 milionë euro, nëse De Jong shitet për 75, që do të shkonin në arkat e Willem II, ose 63% e buxhetit të tyre vjetor. Jo keq si investim… (A2 Televizion)