
Studiuesi Afrim Krasniqi, në një lidhje direkte me “Absolut 4” me Blendi Salajn, në A2 CNN, komentoi gjendjen e mediave në Shqipëri.
Sipas tij, në vendin tonë “kemi dy keqkuptime të mëdha: Së pari, shoqëria jonë pret shumë nga media. Së dyti, ka shumë pak gazetarë, të tjerët janë punonjës në media”.
“Ne e nisëm pluralizmin politik me media partiake dhe mediave të vjetra partiake u jemi përgjigjur me media të reja partiake. Edhe krijimi i gazetave të pavarura ka qenë një vendim i Komitetit Qendror të asaj periudhe. Kështu që, e kemi parë median si dhomë shtesë të politikës. Aktualisht, e kemi të vështirë për të gjetur kufi mes medias dhe politikës. Ne nuk e konsiderojmë mëkat që gazetarët të dalin dhe të marrin anë politike”, tha Krasniqi.
“Gjithashtu, median e kemi parë si biznes dhe shumica e mediave janë shtojca të bizneseve më të mëdha dhe rrjedhimisht punojnë në funksion të tyre”, shtoi Krasniqi.
Një tjetër problem, sipas studiuesit, është se “kur hyri interneti, të gjithë krijuan media”.
“Jemi vendi i vetëm në Evropë që kryeministri ka kanal të vet personal. Shembullin e tij e ndoqi edhe opozita e Presidenti”, deklaroi Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)