Edhe Papa thotë që deti ishte i qetë, del video përpara tragjedisë që hedh poshtë versionin grek

Nga A2 CNN
18 Qershor 2023, 15:55 | Bota

Një video e xhiruar përpara tragjedisë me emigrantë vendosë në dyshim versionin e rojeve bregdetare të Greqisë.

Imazhet, e shpërndara nga portali “defenceline.gr”, tregojnë anijen e peshkimit plot me refugjatë në bord, thuajse në perëndim të diellit, ndërsa deti duket mjaft i qetë dhe peshkarexha ishte ndalur.

Pra, kushtet e motit, nuk e pengonin ndërhyrjen e shpëtimit, po ashtu bie edhe teoria që emigrantët po lundronin dhe se refuzonin shpëtimin nga grekët.

Zëdhënësi i rojeve bregdetare Helene, Nikos Alexiou, kishte mohuar ekzistencën e imazheve përpara tragjedisë.

Lidhur me ngjarjen ka ndërhyrë edhe Papa Françesku, në meshën e parë të mbajtur pas operacionit të kryer në abdominale.

“Me shumë trishtim dhe pikëllim mendoj për viktimat e tragjedisë së rëndë me anije në brigjet e Greqisë në ditët e fundit. Dhe duket se Deti ishte i qetë. Përsëris lutjen time për ata që humbën jetën dhe kërkoj që të bëhet gjithçka që është e mundur për të parandaluar tragjedi të tilla.”

PAPA FRANÇESKU

Në mbrëmjen e 13 qershorit një anije me 750 emigrantë në bord është përmbysur pranë brigjeve greke në Pilos, duke u marrë jetën të paktën 78 personave.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin në breg 104 refugjatë, ndërsa dëshmitarët kanë njoftuar se mbi 100 fëmijë kanë qenë në bord.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të jetë tragjedia më e rëndë me mbytjen e emigrantëve në det.

Anija mendohet të jetë nisur nga brigjet e Libisë me destinacion Italinë, ndërsa në bord kishte shumë pakistanezë.

Raportohet për 10 të arrestuar në Pakistan në lidhje me tragjedinë, 9 prej tyre ishin trafikantë të qenieve njerëzore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos