
28 persona u arrestuan pas një operacioni ndërkombëtar të kryesuar nga EUROPOL, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike. Të gjithë të ndaluarit mes tyre dhe shqiptarë akuzohen për mashtrim.
“Modus operandi i kësaj veprimtarie kriminale përfshinte përdorimin e disa aplikacioneve në telefonat celularë, të cilat lidheshin me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme”, u shpreh specialistja pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, Suela Bonjaku.
Shqipëria do të bëhet dhe një prej vendeve të cilat do të sensibilizojnë blerjen e sigurt online nëpërmjet fushatës #SellSafe.
“Qëllimi i fushatës është të bëjë tregtinë elektronike më të sigurt, duke promovuar metoda të sigurta blerjeje në internet dhe duke ndihmuar tregtarët e rinj të hapin dyqanin e tyre të parë në rrjet, duke shmangur rrezikun e sulmeve kibernetike. Vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën përmes kanaleve të mediave sociale duke përdorur hashtagun#SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë elektronike”.
Që nga fillimi i pandemisë mjaft biznese përdorin rrjetin e internetit për të vazhduar aktivitetet e tyre. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të përdorin shërbimet në rrjet por nga ana tjetër diçka e tillë ka rritur mundësinë e sulmeve kibernetike. (A2 Televizion)