Pas protestave që kanë nisur prej ditësh për prishjen e banesave nga qytetarët e “Astirit”, më pas të Laprakës e më tej edhe të Shkozës, një tjetër protestë ka nisur ditën e sotme.
Studentë nga universitete të ndryshme të Tiranës protestuan përpara Ministrisë së Arsimit kundër tarifave universitare. Kërkojnë heqjen e tarifës prej 670 lekë për kredit për çdo provime të mbartur dhe që pagesa e tarifës së shkollës të kryhet në muajin janar, ashtu si për çdo vit tjetër dhe jo në muajin dhjetor.
Menjëherë pas nisjes së protestës, Ministria e Arsimit njoftoi se Lindita Nikolla do të dilte në një konferencë në orën 12:30 minuta, por edhe pse 30 minuta me vonesë ministrja u shpreh e vendosur se do ta çojë deri në fund reformën në drejtësi, pavarësisht protestës së studentëve.
Në konferencë, ministrja Nikolla u shpreh se studentët kishin refuzuar të dërgonin një përfaqësi për të diskutuar në lidhje me problemet e ngritura nga ata. Nikolla njoftoi se studentët kishin dërguar një letër me disa pika kërkesash në dikasterin e udhëhequr prej saj.
“Me respektin për të dëgjuar studentët. Iu kërkova studentëve të komunikoj për të ndarë sy më sy shqetësimet dhe për tu dhënë përgjigjet, por nuk kanë pranuar, kanë dashur komunikim në shesh. Studentët kanë adresuar një kërkesë kërkojë përmirësim të tarifave dhe përmirësim të kushteve”, tha Nikolla.
Më tej, ministrja theksoi se tarifat janë rritur me vetëm 5.500 lekë dhe kjo ka prekur vetëm Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Shkencave të Natyrës në vitin 2014, vit pas të cilit nuk ka pasur ndryshime.
“Ka ardhur koha që të gjithë të mësojnë të vërtetën për tarifat në universitete nga 2009. Në 2009 tarifa ishte 12 mijë, në 2014 shkoi në 14 mijë. Tarifa maksimale ishte 30 mijë shkoi 45 mijë. Nga 2013-17, kemi rritje vetëm në 2014. Rritja e tarifës ka prekur shkencat e natyrës dhe gjuhët e huaja. Me propozimin e drejtuesve të universiteteve, kërkesa ka qenë për rritje edhe më të madhe për të mbushur gropën nga mbyllja e sistemit Part – Time. Rritja ka qenë vetëm 5570 lekë në vit. Përgjigja ime për përgjysmim tarifash është njohja dhe respekti me ligjin. Vendimmarrja për tarifat është e universiteteve”. (A2 Televizion)