Flamuri Kombëtar në gjysmështizë në Presidencë, në nder të Bush

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2018, 10:40 | Aktualitet

Presidenca ka ulur ditën e sotme në gjysmështizë Flamurin Kombëtar në nder të figurës së Presidentit të 41 të SHBA-ve, George H.W Bush.

Ky vendim i Presidencës shqiptare vjen në ditë kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëhet edhe ceremonia private mortore e tij.

“Në nderim e mirënjohje të veprës së vyer të Presidentit të 41 të SHBA-ve, George H.W Bush ndaj ndryshimeve të para demokratike në Shqipëri e qëndrimit të tij të palëkundur për liritë e të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, në vlerësim e respekt të thellë ndaj betejës së tij të palodhur për lirinë dhe shembjen e Murit të Berlinit, Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidentit është ulur sot në gjysmë shtizë”, shkruan Presidenti Meta në “Facebook”.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2031363803576549

George H.W Bush u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare, ndërsa prej vitesh vuante nga sëmundja e Parkinsonit.

Jeta shumëdimensionale e George H.W Bush
Presidenti 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mandati i tij u dominua politika e jashtme, rënia e komunizmit në Europën Lindore dhe pushtimi i Kuvajtit nga atëherë lideri irakian Sadam Husein. Për dekada të tëra, George Herbert Walker Bush shërbeu si një figurë e njohur në skenën ndërkombëtare, duke filluar nga roli i të dërguarit të SHBA në Pekin, pastaj për tetë vite si zëvendës president dhe më pas si President nga viti 1989 deri në 1993.

Barack Obama dhe 
George H.W. Bush

George H.W. Bush ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president. Ai luajti një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit dhe botës për të dalë nga Lufta e Ftohtë që zgjati katër dekada gjatë së cilës globi jetoi nën kërcënimin e një konflikti bërthamor. Ai pasoi në Zyrën Ovale një figurë madhore të politikës amerikane siç ishte Presidenti Ronald Regan, një rival i tij i dikurshëm.

Familja Bush, Clinton dhe Obama 

Gjatë një periudhe të re që filloi më 20 janar 1989, Presidenti Bush u gjend në krye të superfuqisë së vetme të mbetur në botë. Muri i Berlinit ra; Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari; blloku komunist në Europën Lindore u shkatërrua; Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.


George H. W. Bush

Diplomacia e tij e fuqishme, por e përmbajtur ndihmoi që këto ngjarje të kalonin në paqe dhe harmoni në skenën botërore. Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtuar udhëheqësit të Serbisë Slobodan Milosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga serbët, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.

Pavarësia e Kosovës u realizua nën presidencën e djalit të tij George W. Bush në shkurt 2008. Në vitin 2012, Bush, njoftoi se vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet e tij fizike. Bashkëshortja e tij prej 73 vjetësh, Barbara Bush, vdiq më 17 prill të këtij viti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos