Nisma për bashkëpunimin rajonal mes Tiranës, Beogradit dhe Shkupit zyrtar ka pësuar ndryshime në emërtesë apo volum marrëveshjesh të firmosura, por pozicioni i Shqipërisë në raport me përfitimet vijon të jetë tejet i brishtë.
Dy vite pas “Mini-Shengenit” të firmosur në tetor të vitit 2019 apo muaj pas “Ballkanit të Hapur” të pagëzuar në korrik të këtij viti, vendi vijon të ketë një deficit tregtar të konsiderueshëm në raport me vendet partnere.
Më shumë se 91 miliardë lekë është deficiti mes asaj çka Shqipëria shiti dhe bleu nga Serbia në harkun e 5 viteve të fundit.
Ndonëse në shifra më pak pesimiste, Shqipëria mbetet inferiore edhe në raport me Maqedoninë e Veriut. Plot 3.4 miliard lekë është raporti mes importeve dhe eksporteve mes dy vendeve, ku e “humbura” është Shqipëria.
Bilanci negativ vijoi edhe në 9 muajt e parë të këtij viti. Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e 17.1 miliard lekëve me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke importuar nga këto të fundit produkte në kosto të 27.2 miliard lekëve, duke bërë që deficiti tregtar të ishte plot 10.1 miliard lekë. Tre vendet e Ballkanit Perëndimor, në morinë e takimeve zyrtare apo informale kanë firmosur një duzinë marrëveshjesh, që si epiqendër kanë lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitaleve, mallrave, shërbimeve.
Lehtësimi në proceduarat e importeve dhe eksporteve; lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim; tregu i përbashkët për 12 milionë banorët e tre vendeve; heqja e kontrolleve në pikat kufitare apo bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore janë disa prej tyre.
Mirëpo, kamionët me mallra vijojnë të përballen me pritje të gjata në pikat doganore për të përpunuar mallrat që transportojnë. 197 minuta i duhet një kamioni me mallra të presë në doganën Shqiptare, nga 37 minuta në Maqedoninë e Veriut apo aspak në Serbi. (A2 Televizion)