Pesë persona janë proceduar penalisht dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia, pasi dyshohet se ndërtuan pa leje në zona të mbrojtura të ndryshme të Tropojës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se objektet pa leje u evidentuan pas 2 ditë kontrollesh në terren, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Kukës-Ndërtuan pa leje, në zona të mbrojtura dhe në zona të ndryshme të Tropojës, shpallen në kërkim 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas.
Komisariati i Policisë Tropojë, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, për 2 ditë me radhë, ka evidentuar dhe goditur 7 raste të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim shtetasit:
S. B., 47 vjeç, banues në fshatin Gegaj, pasi në bjeshkën e “Ujzës” ka ndërtuar objekt pa lejen e organeve kompetente.
A. D., banues në Tiranë, pasi në bjeshkët e lagjes “Malaj”, Valbonë (zonë e mbrojtur), po ndërtonte një objekt pa leje. Në gjendje të lirë u procedua edhe babai i tij, shtetasi S. D.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
G. K. dhe S. A., banues në Tropojë, pasi në bjeshkët e “Sylbicës” kanë ndërtuar objekte pa lejen e organeve kompetente.
P. Gj., banues në Pukë, pasi në fshatin Breg Lumi ka kryer punime ndërtimi pa lejen e organeve kompetente.
K. H., banues në fshatin Viçidol, pasi në vendin e quajtur bjeshkët “Rrëzë Shkëlzenit”, po ndërtonte një objekt pa lejen e organeve kompetente.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)