
Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë unifikimin e taksës mbi gazin në 6 lekë/litër. Për automjetet kjo nënkupton një ulje të kësaj barre me 2 lekë, por për familjet që ngrohen dhe gatuajnë me gaz, nënkupton një rritje të çmimit, pasi deri dje ky produkt nuk taksohej për ta.
Elton Haxhi, ish-zv/ministër i Financave, deklaroi në studion e “A2 Business” se akciza 6 lekë e gazit nuk do të rëndojë në xhepat e qytetarëve, por po vihet për një qëllim tjetër.
“Kjo është më tepër një masë për të mbyllur hapësirat për denatyrim të shitjes së gazit, nuk ka ndonjë rëndesë në xhepat e qytetarëve. Por, do të thoja që nuk duhej nisur nga gazi ndoshta, sepse ka shumë gropa të tjera që duhej të ishin mbyllur që në vitin e parë. FMN ka rekomanduar që të bëhet menjëherë heqja e përjashtimeve në masë. Duhej nisur heqja e përjashtimeve, jo me gazin. Nga të gjitha këto ndryshime, i vetmi ndryshim i planifikuar janë cigaret. Të tjerat janë të pakonsultuara. Edhe kjo paketë, si shumë të tjera, nuk është konsultuar para se të shkojë në komisione”, deklaroi Haxhi. (A2 Televizion)