Sot ishte ditë sfidash miqësore midis ekipeve shqiptare dhe ato turke. Kryesuesit e kampionatit barazuan 1-1 përballë Sivaspor-it, ekip i Superligës turke.
Pas pjesës së parë të mbyllur në barazim pa gola, Jasir Asani i dha avantazhin skuadrës, duke realizuar edhe golin e parë të të kuqve për vitin 2019. Sivaspor-i arriti të barazonte rezultatin në minutën e 67-të, me një penallti të kontestuar nga ekipi kryeqytetas.

Autori i golit, që vulosi edhe rezultatin ishte rumuni Torzhe, lojtar me një të kaluar te Udineze në Serinë A italiane, por edhe në elitën e futbollit spanjoll. Partizani vijon përgatitjet në Turqi, ku testi i radhës do të jetë ai i së premtes ndaj Antaliaspor, për të luajtur më pas ndaj Dinamos së Zagrebit më datë 14 janar.
Në miqësoren tjetër turke, Kukësi u mund 2-1 nga Instabul Bashakshehir. Skuadra e Cungut e pa veten në disavantazhin e dy golave përballë skuadrës që kryeson Superligën e Turqisë, me Arbër Çyrbjan që realizoi golin e vetëm të veri-lindorëve në minutat e fundit të ndeshjes.

Pavarësisht disfatës, testi ishte mjaft pozitiv për Kukësin, mbi të gjitha për të ndihmuar në përshtatjen e blerjeve të reja të skuadrës, mesfushorit Eduart Rroca dhe sulmuesit Vasil Shkurtaj.
Miqësorja e radhës për blutë do të jetë ajo e së premtes, më 11 janar përballë Rostov, ekip i Premier Ligës Ruse. (A2 Televizion)