
Për herë të parë në historinë e saj si shtet i pavarur, Kosova u përball me një krizë ekonomike me përmasa të mëdha dhe pasoja të rënda. Krizë prej nga e cila sot vjen si një nga vendet më të prekura në rajon dhe Europë. Banka Botërore parashikon një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 8,8%, më i lartë edhe nga ai i Shqipërisë, parashikuar në 8,4%.
Nga 13 marsi deri më 18 maj, jeta ekonomike u paralizua totalisht, me qarkullimin e njerëzve dhe aktivitetin e ndaluar, me përjashtim të marketeve dhe farmacive. Të ardhurat e familjeve dhe bizneseve ranë kësijoj ndjeshëm. Administrata Tatimore e Kosovës llogarit se humbjet për sipërmarrjen arritën në 1,2 miliardë euro. Vetëm në kulmin e kësaj krize, Agjencitë e Punësimit në vend regjistruan zyrtarisht 32 mijë të papunë. Një impakt shkatërrues për një prej ekonomive me pjesëmarrjen në fuqinë punëtore më të ulët në Europë.
Qeveria aprovoi një pako fiskale emergjente me vlerë 190 milionë euro, të shpërndarë në 15 masa të ndryshme, të fokusuara kryesisht në aspektin social, duke dyfishuar pagesën e ndihmës ekonomike, pagesë shtesë për pensionet si dhe subvencionimin e pagave dhe kontributeve. Këto skema ishin më gjithëpërfshirëse se dy pagat e luftës të akorduara në Shqipëri, duke përfshirë së paku 380 mijë qytetarë dhe dhjetëra mijëra biznese. Megjithatë, shpërndarja ishte e ngadaltë.
Të vënë në vështirësi pagese, mbi 44 mijë klientë të bankave kërkuan shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive. 70 mijë të tjerë kërkuan zgjatje të afatit me reduktim të pagesave mujore.
Megjithatë, për shkak të prishjes së koalicionit qeverisës dhe ndryshimit të qeverisë, nga ajo Kurti në atë Hoti, vonoi miratimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Kjo masë e nevojshme u miratua vetëm në dhjetor nga Kuvendi, në një kohë që ekonomia lëngonte.
Për shumë familje, mbijetesa në këtë krizë të vështirë do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e emigrantëve dhe diasporës, që dërguan rreth 900 milionë euro në formë remitancash. Një shumë edhe më e lartë se një vit më parë dhe që shkoi kryesisht për të nxitur konsumin, faktorin bazë ku mbështetet modeli ekonomik i Kosovës.
Rimëkëmbja ekonomike është sot fokusi i të gjitha platformave politike të prezantuara në fushatën që i parapriu 14 shkurtit. Por, që ringritja të jetë e shpejtë dhe gjithëpërfshirëse, së pari do të jetë përcaktuese menaxhimi i situatës së pandemisë dhe programi që do të ndiqet.
Megjithatë, Kosova ka dy avantazhe të mëdha, që do t’ia lehtësojnë shumë punën qeverisë së ardhshme. Së pari, niveli i borxhit publik është mjaft i ulët dhe sistemi bankar është shumë likuid. Kjo do të thotë se financimi i ekonomisë nuk do të jetë problem, për sa kohë identifikohen sektorët e duhur ku do të ndërhyhet.
Së dyti, një pjesë e bizneseve kanë arritur të shfrytëzojnë më së miri ristrukturimin e madh të zinxhirit tregtar global, duke shënuar rritje të eksporteve të mallrave. Me një popullsi të re dhe një numër të madh qytetarësh të gatshëm për t’u futur në tregun e punës, Kosova i ka kapacitetet për t’iu rikthyer rritjes ekonomike me ritme të shpejta. Faktori kryesor përcaktues mbetet vizioni që do të sjellë më vete partia apo koalicioni fitues. (A2 Televizion)