Sejko: Plakja e popullsisë dhe emigracioni rrezikojnë potencialin e rritjes ekonomike

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 13:02 | Ekonomi

Sejko: Plakja e popullsisë dhe emigracioni rrezikojnë potencialin e

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paralajmëruar se plakja e popullsisë dhe emigrimi i fuqisë punëtore po bëhen ndër sfidat kryesore që rrezikojnë potencialet afatgjata të rritjes ekonomike në vend.

Gjatë fjalës së tij në Workshop-in e 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Sejko theksoi se, pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë, perspektiva mbetet e ndikuar nga pasiguritë globale dhe sfidat strukturore të brendshme.

“Të dhënat makroekonomike tregojnë për një ecuri pozitive të rritjes, të mbështetur nga stabiliteti monetar e financiar. Inflacioni është në nivele të ulëta dhe të kontrolluara, ndërsa sistemi bankar mbetet i shëndoshë dhe një shtyllë kyçe e stabilitetit makroekonomik”, deklaroi Sejko.

Megjithatë, ai nënvizoi se ekonomia shqiptare, ashtu si ajo globale, po përballet me pasiguri të shumta që lidhen me tensionet gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve.

“Ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës së punës, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore dhe po ndikojnë në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike”, theksoi Guvernatori i BSH-së.

Sipas tij, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike dhe private, si dhe rritje të produktivitetit e përshtatje të strukturës së prodhimit.

Në këtë kuadër, Sejko nënvizoi nevojën për politika të kujdesshme monetare e fiskale, si dhe për reforma transformuese që synojnë rritjen e produktivitetit përmes inovacionit, investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit dhe zgjerimit të përfshirjes financiare e ekonomike.

“Rritja e qëndrueshme ekonomike dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik kërkojnë një qasje strategjike, fleksibilitet politikash dhe zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare”, përfundoi Sejko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos