Qeveria dhe opozita mbajnë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë. Kështu shprehet për DW eksperti i Fondacionit Konrad Adenauer për Ballkanin Perëndimor, Florian Feyerabend. Duke komentuar vendimin e Partisë Demokratike për dorëzimin e mandateve të deputetit, këshilltari i partisë së Unionit Kristiandemokrat thotë se vendi i përballjes mes palëve është parlamenti.
“Nisur nga sfidat e mëdha që ka përballë Shqipëria, nisur edhe nga çelja e mundshme e negociatave me BE-në, që është parashikuar të ndodhë në shtator, është e domosdoshme që parlamenti të jetë funksionues, e të kryejë funksionin e tij kontrollues mbi qeverinë. Jo vetëm qeveria, por edhe opozita duhet të mbajë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Florian Feyerabend, ekspert i CDU për Ballkanin
Eksperti i CDU për Ballkanin flet edhe për përfshirjen e Shqipërisë në fazën finale të dialogut me Serbinë duke kërkuar sjellje të rezervuar.
“Qarkullojnë shumë thashetheme, disa prej të cilave ndoshta të vërteta, që i atribuojnë kryeministrit shqiptar Edi Rama një rol të rëndësishëm në diskutimin e shumëpërfolur aktualisht mbi korrigjimin e kufijve ose ndërrimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis shteteve sovrane Kosovë dhe Serbi ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve”, tha Florian Feyerabend.
Në fund ai thekson se përfshirja e Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi do të ndikonte në arritjen e një zgjidhjeje mes palëve. (A2 Televizion)