E para që mbërriti në Pallatin e Brigadave ishte Marta Kos. Pas fotos zyrtare, ngjit shkallët së bashku me kryeministrin Rama drejt tryezës së Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Për të ftuarit e tjerë të tryezës u kujdes ministri i Jashtëm Ferit Hoxha për t’u ofruar mirëseardhjen.
Edi Rama zbriti sërish te shkallët për të pritur këtë herë Albin Kurtin.
Një takim dhe bisedë e ngrohtë shoqërojnë ecjen e tyre drejt tryezës së diskutimit. Kryeministri Rama u shpreh entuziast për samitin dhe në fjalën e tij pati vetëm falënderime për Unionin Evropian.
“Sikur një ditë të më thërrisnin të numëroja bekimet e BE-së, do të sfidoja gjithkënd që të më ndalte së foluri me orë të tëra dhe me ditë të tëra ndoshta dhe për ditë të tëra. Dua të falënderoj Martën që ka qenë një zë i fortë për Shqipërinë dhe një zë i fortë për BE kur vjen fjala që të na thotë sesi të rrimë drejt e që të mos bëjmë lëvizje që mund të sjellin pasoja”, tha Rama.
Pas falënderimeve, Komisionerja për Zgjerim nisi të shpërndajë paratë e BE-së për tre nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ka optimizëm edhe për rrugën e Kosovës drejt BE-së, ku pikë e rëndësishme mbetet edhe dialogu me Serbinë.
“Do të vij në Kosovë muajin tjetër. Në rrugën drejt anëtarësimit performancën më të mirë e ka Mali i Zi, i cili ka përmbushur 94% të reformave, Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe Maqedonia e Veriut ka përmbushur 56% të reformave”, u shpreh Marta Kos. (A2 Televizion)