
Kur arti sjell revoltën, nuk ka nevojë për shumë hapësirë, por për mendje dhe krijesa që e shijojnë atë edhe thjesht përmes një imazhi. Por, ndërsa revoltën, mesazhin, artin, dhe një qendër tregtare mendoni se nuk i bashkon asgjë, gaboheni.
Dhjetë imazhet që sjell Ergys Zhabjaku në “Galeri 70”, një oaz arti tanimë në qendrën tregtare “Toptani”, janë një thirrje e fortë, pa ngjyra të theksuara, pa gërma të mëdha, por me një revoltë që thërret fort.
Në lojë me dritëhijen, përmes një peshku apo një shisheje, Zhabjaku tregon se si po na rrëshqet nga duart uji, burimi i jetës.
“Running out of water”, është cikli më i ri i imazheve të Ergys Zhabjakut që ju fton t’i vizitoni çdo pasdite në “Galeri 70”. (A2 Televizion)