Emërimet politike në administratë, Hasimja: Të rinjtë e kanë ëndërr, partitë shfrytëzojnë mendësinë

Nga A2 CNN
24 Shtator 2021, 19:47 | Politikë
Emërimet politike në administratë, Hasimja: Të rinjtë e

Meritokracia në administratë është një ndër porositë më të shpeshta që kreu i qeverisë ka bërë ndaj të tijëve në daljet publike. Por, rasti i mbledhjes së partisë në Shkodër tregoi krejt të kundërtën. 

Në mbledhjen e parë të qarkut që pas zgjedhjeve, socialistët nisën debatet se kush do të emëronte kë, ndërsa si problem kryesor ngritën numrin e emërimeve të bëra në administratë nga aleati.

Për politologun Ermal Hasimja, kjo formë funksionimi është jashtë çdo koncepti demokratik për partitë, ndërsa si akoma më skandaloze sheh heshtjen e mazhorancës pas rastit të Shkodrës: “Emërimi në administratën publike nuk ka lidhje me kontributin në parti. Partitë supozohet që janë grup njerëzish me ide të njëjta, me qëllime të njëjta që duan të ndryshojnë vendin. Fakti që i kemi këto procedime në këtë mënyrë është skandaloze, e po më shumë skandaloze është që dalin fakte në media mbi këto ngjarje e askush nuk reagon”.

Si problem edhe më të madh, Hasimja sheh dëshirën e të rinjve për t’u angazhuar në administratë publike, e mungesa e vullnetit për të nisur iniciativa personale: “Problem edhe më i madh është fakti që ëndrra më e madhe e të rinjve shqiptarë është të punojnë në administratë, pra të mos kenë kërkesë llogarie dhe të jetojnë në kurriz të pjesës tjetër që kontribuon”. 

Në këtë rast, pundhënësin më të madh Hasimja e sheh si shfrytëzues të mendësisë masive: “Në këtë rast, partitë politikë e shfrytëzojnë këtë fenomen se ekziston si ide te njerëzit”.

Hasimja ka pak shpresë në ndryshimin e këtij fenomeni, ndërsa fton të rinjtë që të ndërmarrin angazhime dhe biznese personale, si një mundësi më e mirë për ta, por edhe për vendin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos