
Procesi përgatitor për administrimin e zgjedhjeve po shkon sipas parashikimeve, dhe pse jo çdo gjë është përmbushur në afatet e parashikuara. Kjo është ajo që bëri të ditur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në “Intervistë” me Merita Haklajn.
Kryekomisioneri vlerësoi, të paktën nga pikëpamja teknike e organizimit, zgjedhjet e viteve të fundit kanë qenë me një standard të krahasueshëm me vendet e tjera me demokraci perëndimore. Celibashi shtoi se sfidë mbetet gjetja e operatorëve të pajisjeve për identifikimin elektronik.
I pyetur për gjuhën e përdorur nga palët politike, kreu i KQZ-së theksoi se diskursi është i ashpër, por shtoi se pas kuintave situata mund të jetë më e qetë.
“Kemi një retorikë të rënduar politike. Ka shumë konflikt, kontradikta është shumë e madhe. Kur i dëgjon si komunikojnë, duket sikur ekziston një armiqësi e thellë. Por nuk është ashtu.”
Ndërsa, sa i përket akuzave të bëra nga dy grupimet e Partisë Socialiste, kryekomisioneri u shpreh se asnjë qëndrim nuk ndikon në vendimet që ai merr në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
I pyetur konkretisht për çështjen e drejtuesit të koalicionit në fletën e votimit, për rastin e “Bashkë Fitojmë” Celibashi tha se bindjes së tij i qëndron deri në fund.
Por pasi Kolegji Zgjedhor vendosi përfundimisht që përbri kolaicionit “Bashkë Fitojmë” do të vendosej emri i kreut të PL-së, kryekomisioneri theksoi se vendimi i gjykatës nuk komentohet.
“Jam i bindur në drejtësinë e vendimeve të mia. Tashmë ka vendim nga gjykata, dhe do të isha i fundit që do ta komentoja vendimin. Bindja ime mbetet e pandryshuar, por nuk ka asnjë dobi që të komentoj.” (A2 Televizion)