Ende s’ka një datë për nisjen e vitit akademik, zhvillimi i mësimit në varësi të epidemisë

Nga A2 CNN
23 Shtator 2020, 14:45 | Aktualitet
Ende s’ka një datë për nisjen e vitit akademik, zhvillimi i

Viti i ri akademik fillon në nëntor, por ende nuk ka një datë të përcaktuar dhe as vendim për mënyrën si do të zhvillohet mësimi në kushtet e pandemisë.

Universiteti i Tiranës, i cili ka numrin më të madh të studentëve dhe stafit akademik, ka planifikuar që leksionet të zhvillohen online, ndërsa seminaret dhe laboratorët në grupe të vogla në auditore.

Megjithatë, drejtuesit e këtij institucioni janë në pritje të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe ekspertëve të shëndetësisë. “Nuk ka një vendim përfundimtar sepse kjo do të lidhet me masat që do të ofrohen nga ministria dhe qeveria në varësi të ecurisë së virusit. Po shikojmë një kombinim të mësimit online të leksioneve dhe auditorëve për seminaret”, shprehet për A2 Artan Hoxha, rektor i Universitetit të Tiranës.

Aktualisht, në Universitetin e Tiranës nuk ka staf të prekur nga Covid-19, por ka raste të dyshuara të cilët janë vetizoluar. Për shkak të pandemisë, në shkollat e larta vijojnë provimet për të mbyllur këtë vit akademik, por njëherësh edhe regjistrimet për pranimet e reja.

“Ka përfunduar raundi i parë i regjistrimeve në universitete dhe fillon raundi i dytë. Universiteti i Tiranës ka regjistruar 69% të kuotave dhe kanë mbetur 1604 vende të paplotësuara nga mbi 5 mijë të planifikuara për këtë vit”, shprehet Hoxha.

Edhe këtë vit, drejtësia dhe ekonomia janë degët më të kërkuara në Universitetin e Tiranës dhe kuotat bosh në raundin e dytë janë të pakëta. Rektori Hoxha deklaron se nuk do të ketë rritje të tarifës së shkollimit, por një ulje prej 5 mijë lekësh në pagesën e regjistrimit vetëm për ciklin “master”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos