Ëndrra e “grekut të çmendur” ndalet në finalen e Wimbledon, Djokovic tepër i fortë

Nga A2 CNN
10 Korrik 2022, 19:41 | Sporte të tjera
Ëndrra e “grekut të çmendur” ndalet në finalen

Përfundon ëndrra e Nick Kyrgios  dhe e botës së tenisit për të parë fituesin më të çuditshëm të cirkuitit botëror në “tempullin” e këtij sporti, Wimbledon.

Serbi Novak Djokovic tregoi superioritetin e tij në finale duke mundur australianin me rezultatin 4-6 6-3 6-4 7-6. Siç i ka ndodhur edhe në ndeshje të tjera në këtë turne, kampioni serb pati vështirësi në fillim, duke humbur setin e parë, por më pas arriti të drejtonte lojën, duke përfituar edhe nga nervozizmi i Kyrgios, që është ankuar disa herë me arbritrat, publikun, vetë stafin e tij, por jo me Novakun, me të cilin ka një miqësi të gjatë.

Por ata që kanë ndjekur  numrin 13 të botës gjatë karrierës së tij kanë parë shumë më keq. Tenisti plot talent por me një karakter të pamundur, i biri i një punëtori me origjinë greke dhe të një princeshe rebele e Selangorit të Malajzisë, që braktisi titujt dhe pasurinë për lirinë e të qënurit një inxhiniere informatike në Australi, Nick ka qenë protagonist i episodeve të shumta, ku kujtohet karrigia që hodhi në Romë gjatë ndeshjes, në 2019, si dhe rekordi i raketave të thyera gjatë lojës.

Shpesh herë ka deklaruar se tenisi nuk i pëlqen dhe se vazhdon vetëm se nuk di të bëj asgjë tjetër, dhe që sporti i tij i preferuar është basketbolli.  

Kyrgios po tentonte fitoren e parë në një turne madhor, ndërkohë që ky për Djokovic është i katërti radhazi në 7 edicionet e fituara në Wimbledon, dhe i 21-ti i turneve Slam (ku përfshihen Wimbledon, Roland Garros, US Open dhe Australian Open), një më pak se Nadal, për t’u shpallur tenisti me më shumë fitore në histori.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos