
Fabian Cenko, epidemiolog, nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, foli në Dita Jonë për situatën nga pandemia e koronavirusit.
Ai thotë se numri i vdekjeve tregon se situata po menaxhohet mirë. Megjithatë, ai thekson, duke u bazuar në numrin e të shtruarve në spital, se testime i janë bërë vetëm majës së piramidës.
“Unë mendoj se masat në këto tre jave, bllokimi i aktiviteteve, kanë dhënë rezultat, pasi shpërndarja mund të ishte më e madhe. Në raport me informacionet, le të themi që momenti i humbjes së jetës nga infektimi i këtij virusi ndodh mbas 3 javësh, do të thotë se ne kemi diçka më shumë se 3 javë që shoqëria është bllokuar. Këto raste vdekjesh që ne kemi i përgjigjen situatës se sëmundja ka filluar kur janë marrë masat. Ecuria e vdekjeve në 2 javët e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme. Duke qenë se 1/3-ta e të prekurve janë në spital, tregon se këtu te ne është testuar maja e piramidës”.
Tashmë janë konfirmuar mbi 1 milionë të prekur në të gjithë botën, por çfarë kemi kuptuar? “Sëmundja ka më pak asimptomatikë sa është menduar, ka më shumë raste me simptoma të lehta, me shenja që lidhen me shumë lloj virozësh, konfirmohet prekja më e shpeshtë e moshave të treta. Sa i përket transmetimit, po dalin informacione, duket sikur virusi jeton në një kohë më të gjatë në ajër”, u shpreh Cenko. (A2 Televizion)