


Kushtet ekstreme të motit në Malin Uashington, në shtetin e New Hampshire në SHBA e bënë atë vend dukej më tepër si pjesë e Planetit Mars sesa Tokës. Sipas shërbimit meteorologjik atje, temperatura arriti në -44 gradë celsius, por për shkak të lagështirës dhe erës së fortë, me shpejtësi deri në 200 km/h, ndjesia reale ishte për -78 gradë celsius.
Mali në fjalë njihet për temperaturat ekstreme, ndër më të ulëtat në botë, por të premten situata arriti skajet. Për krahasim, në Mars sipas matjeve të NASA-s, temperatura minimale ishte -76 gradë celsius. Sipas Agjencisë Hapësinore Amerikane, temperaturat në planetin e kuq luhaten nga -142 në 21 gradë celsius.
Në një video të publikuar nga Observatori Meteorologjik në Malin Uashington të premten, tregohet më së miri situata në majë, ku shikueshmëria ka zbritur ndjeshëm, në vetëm pak metra. Mali në fjalë është 1916 metra i lartë dhe zakonisht është i mbuluar nga bora e dendur, ndërsa era mesatarisht fryn me një shpejtësi 72 kmh.
(A2 Televizion)