
Mira Rakacolli, zv/ministre e Shëndetësisë, deklaroi në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2 se “kalimi nga epidemia në pandemi të çon në ndryshimin e disa masave”, të cilat, sipas saj, do të propozohen nesër.
Kur u pyet mbi personat që erdhën sot me autobusë nga Italia, Rakacolli shpjegoi se vetëkarantinimi i tyre do të kontrollohet: “Vetëkarantinimi i personave që kanë ardhur me autobusë nga Italia do të kontrollohet. Kemi adresat dhe numrat e telefonit të secilit. Kur kanë hyrë në Shqipëri, janë marrë në intervistë dhe janë kontrolluar paraprakisht në kufi”.
Kur u pyet se çfarë do të ndodhë me familjarët e shtetases që ndërroi jetë në Durrës nga koronavirusi, Rakacolli tha: “Në Spitalin e Durrësit ka shkuar edhe një ekip me specialistët tanë më të mirë, për të hetuar situatën epidemiologjike. Janë gjurmuar kontaktet dhe procesi po vijon. Kontaktet e afërta të viktimës, fatmirësisht kanë rezultuar negative”. (A2 Televizion)