Erdogan njofton vrasjen e liderit të ISIS në Siri

Nga A2 CNN
1 Maj 2023, 15:17 | Bota
Erdogan njofton vrasjen e liderit të ISIS në Siri

Rexhep Tajip Erdogan i rikthehet jetës politike për të njoftuar një vrasje. Presidenti i Turqisë bëri të ditur se forcat speciale të tij kanë eliminuar në territorin sirian, liderin e ISIS, me emrin e koduar Abu Hussein al-Qurachi. Konfirmimin e bëri përgjatë një interviste televizive, por pa dhënë shumë detaje.

“Ka ndodhur një zhvillim që konfirmon luftën tonë të përkushtuar kundër organizatave terroriste. Shërbimet tona sekrete kanë ndjekur të ashtuquajturin lider të shtetit islamik, me emrin e koduar Abu Hussein al-Qurashi për një kohë të gjatë. Kjo është hera e parë që unë konfirmoj këtë lajm, që ai individ është neutralizuar si pjesë e një operacioni të inteligjencës kombëtare të Turqisë në Siri, gjatë të dielës”, tha presidenti turk.

Sipas mediave ndërkombëtare, operacioni sekret i inteligjencës turke ka ndodhur në një zonë të rajonin verilindor Afrin. Vrasja e liderit të ISIS ka ndodhur në një fabrikë të braktisur që përdorej si shkollë islamike. Njoftimi për eliminimin e tij riktheu presidentin Erdogan në skenën aktive politike pas problemeve shëndetësore me stomakun që e detyruan të bënte disa ditë pushim nga aktivitetet për fushatën presidenciale.

Më 14 maj, qytetarët do të vendosin mes liderit të tyre më jetëgjatë dhe rivalit kryesor të opozitës, Kemal Kiliçdarollu, i cili është zgjedhur si kandidat nga gjashtë parti politike. Erdogan, që ka më shumë se 20 vite në drejtim të Turqisë, sipas sondazheve rrezikon që të largohet nga “froni”, me sfiduesin 74-vjeçar që ka një shans të mirë për të triumfuar. Megjithatë gara mes tyre pritet që të përcaktohet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos