
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është takuar të premten mbrëma me presidentin e Turqisë, Recep Erdoğan.
Në një konferencë të përbashkët për mediat në Stamboll, lideri i Ukrainës u shpreh se ishte i lumtur që Turqia është pro synimeve të vendit të tij për t’iu bashkuar NATO-s.
Dy liderët bënë të ditur se bashkë, biseduan “rreth pikave kyçe të punës që duhet të bëjnë dy vendet në kontekstin e NATO-s dhe në veçanti në përgatitjet për samitin e Vilniusit.
Ukraina pritet të jetë çështja kryesore në agjendën e këtij samiti që do të mbahet javën tjetër.
Nga ana tjetër, presidenti turk deklaroi se Turqia vijon punën për shtyrjen e afatit të marrëveshjes së grurit në Detin e Zi. Ai shtoi se për këtë çështje do të flasë me homologun rus, Vladimir Putin.
Presidenti turk tha se në vend që të rinovojë një marrëveshje njëvjeçare çdo dy muaj, ai shpreson se ajo mund të vendoset për një periudhë dyvjeçare, me rinovim çdo tre muaj. Marrëveshja aktuale skadon më 17 korrik. (A2 Televizion)