Escobar në Tiranë, takime me opozitën, përjashton Berishën "non grata"

Nga A2 CNN
12 Prill 2023, 12:06 | Politikë
Escobar në Tiranë, takime me opozitën, përjashton

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, vijoi takimet sot me opozitën.  Fillimisht, zyrtari i lartë, mbërriti në zyrat e reja të PD-së, ku u takua me Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin, Oriola Pampurin dhe Kreshnik Çollakun. Më pas, Escobar iu drejtua zyrave të Partisë së Lirisë, ku takoi kreun e kësaj force politike, Ilir Meta. 

Takimet me opozitën nuk përfshinë, kreun e Rithemelimit Sali Berisha, të cilin Amerika e ka shpallur "non grata". Vizita e tij ka në fokus zgjedhjet e 14 majit, gjë që u pohua edhe në njoftimin e Ambasadës Amerikane, pas takimeve me kryeministrin Rama dhe presidentin Begaj.

Në njoftim theksohej se zv.ndihmëssekretari Escobar nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve bashkiake në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet.

Po ashtu, Escobar takoi edhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ku u vlerësua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ndërsa theksi u vu te forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos