Krasniqi komenton hapjen e fushatës së PS

Nga A2 CNN
11 Prill 2023, 20:31 | Politikë
Krasniqi komenton hapjen e fushatës së PS

Partia Socialiste hapi fushatën sot pasdite krejt ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme. Pa miting dhe pjesëmarrje masive të militantëve, dhe vetëm me kandidatët e 61 bashkive dhe drejtuesit politik të qarqeve, ceremonia u organizua ne Sheshin “Skënderbej”.

Rama theksoi se ka fituar 8 nga 9 fushatat që ka drejtuar deri më sot në krye të Partisë Socialiste. Ai sulmoi kundërshtarët, kur tha se vota për ta ka shkaktuar më shumë dëme se të mira. Berishës dhe Metës nuk u përmendi emrin, ndërsa duket se mesazhin e kishte për ta kur tha se janë pengje të së shkuarës dhe korrupsionit e minimit të demokracisë dhe se Janë bërë një arsye turpëruese për Shqipërinë në sytë e botës”.

Për këtë çështje u diskutua këtë të martë në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, nga ku studiuesi Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike, u shpreh se Partia Socialiste e ka luksin për t’u tallur me kandidatët e opozitës, teksa komentoi fjalimin e kryeministrit Rama në hapjen e fushatës.

“Fushata u hap para se të hapej ligjërisht fushata dhe me konceptin e kodit është shkelje e ligjit sepse fushata duhej të hapej më datën 13 apo 14.

Është e vërtetë se PS e ka luksin për t’u tallur me atë që quhet përfaqësimi i opozitës dhe kandidatët e saj sepse hyn në një fushatë që e ka fituar para se të nisë fushata. Deri diku, ky është çmimi që ne paguajmë për një konstelacion politik jo konkurrues, të korruptuar dhe një elitë politike që edhe në këtë rast ka zgjedhur interesat e veta mbi interesant e vendit.

Ndërkohë, Rama, si një kryeministër i një vendi që do të hyjë në BE, përdor një retorikë që ai vet e ka dënuar kur ka qenë në opozitë dhe ka premtuar se nuk do ta përdorte kurrë dhe do të tregonte respekt për kundërshtarët”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos