
Kalimi i deputetit të LSI-së Agron Çelaj te Partia Socialiste në Shkodër nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Kështu u shpreh ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli në studion e Debatit në A2 CNN, pasi sipas saj Shkodra është qartazi e orientuar djathtas. Ajo theksoi se në këto zgjedhje koalicioni “Bashkë fitojmë” do të marrë një numër të konsiderueshëm bashkish.
“Lista e këshilltarëve të PD është 100 herë në emirë më domethënëse e përfaqësuese se lista tjetër nuk krahasohet. Di që ka një pakënaqësi te socialistët e Shkodrës për shkuarjen e deputetit aty. Si do përkthehet në votë do ta shohim, por nuk ka dyshim në rezultatin përfundimtar. Shkodra është e qartë në orientim, është njësoj si të pyesësh për Vlorën”.
Ajo akuzoi qeverinë për mos kryerjen e asnjë investimi në 10 vite në Shkodër që ka detyruar të largohen 38 mijë vetë në vetëm 4 vite.
“Ka 10 vite që në atë qytet ka zero investime është fakt dhe nuk ka gjë më të dhimbshme se të mos çosh një pjesë të buxhetit në atë pjesë të vendit. Në 4 vite janë larguar 38 mijë vetë nga Shkodra nuk ka punë të ardhura e biznes. Dhimbje më e madhe ka mënyra të ndryshme për ta vrarë një qytet dhe një është hiq njerëzit dhe mos ço para. Emergjenca për ndryshim në Shkodër është e madhe. Është e pafalshme të mos bësh një rrugicë. Dhe në kohën e verës të duhen 4 orë e gjysmë të shkosh në Shkodër, kur jemi vetëm 180 km larg. Si mund të dënohet një qytet pse nuk voton kryeministrin aktual?” (A2 Televizion)