“PD-ja zyrtare, 2 deputetë e 1 vulë,” Topalli: Edhe pas largimit, Basha po bën çmos ta dëmtojë partinë

Nga A2 CNN
5 Prill 2023, 20:17 | Politikë
“PD-ja zyrtare, 2 deputetë e 1 vulë,” Topalli: Edhe pas

Nuk ka filluar ende zyrtarisht fushata, por koalicioni i opozitës “Bashkë Fitojmë” është shpërndarë në bazë. Sali Berisha po prezanton ne çdo qytet kandidatet e dale nga primaret. 

Jozefina Topalli, Drejtuese e Qarkut Lezhë për Partinë Demokratike të Rithemelimit, e ftuar në “Debat”, u shpreh mbrëmjen e së mërkurës optimiste se forca politike në të cilën ajo bën pjesë do t’i marrë të tre bashkitë.

Ndërsa komentonte grupin tjetër të PD-së, atë zyrtarin, zonja Topalli u shpreh se janë të papërfillshëm pasi nuk qenë në gjendje të nxjerrin 61 kandidatë në 61 bashki.

“Vendimi i gjykatës për t’i hequr për t’i dhënë emrin forcë politike dy deputetëve dhe për t’ua hequr atyre që ishin mbledhur në sy të të gjithë botës, në një stadium të madh ku kanë votuar për kryetarin e tyre, është gjë absurde,” deklaroi Topalli.

Ajo u ndal edhe tek Lulzim Basha për të cilin tha se e ka ditur gjithnjë që do ta shkatërronte PD-në.

“Në 10 vite të jetës sime e kam thënë prej kaq shumë vitesh që ai do ta shkatërrojë PD. Edhe pas dhënies së dorëheqjes, ai pas perdeve, po bën çdo gjë për të dëmtuar deri aty ku nuk mund të imagjinohet atë forcë politike, bashkë me ata që i mbështesin.”

Sipas Topallit, PD po paguan sot mëkatet pasi për 10 vite pranoi të drejtohej "nga dikush që kreu i qeverisë e kishte ne xhep.”

Megjithatë, Jozefina Topalli theksoi se PD është aty ku janë demokratët ndërsa shtoi se grupimi Alibeaj nuk përfaqëson asgjë si peshë elektorale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos