
Vendet shqipfolëse në Ballkan duhet të ndihmohen për të siguruar vaksinën anti-covid dhe kjo mund të arrihet përmes Europës.
Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë, që kryesohet nga doktoreshë Aurora Dollenberg i ka dërguar një letër presidentes të Komisionit Europian, Ursula Von de Leyen dhe ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, duke iu kërkuar atyre të ndihmojnë Shqipërinë dhe vendet e tjera shqipfolëse për të pasur vaksinat anti-covid.
Në letër kërkohet disponueshmëria dhe transporti i dozave të nevojshme të vaksinës së nevojshme, si dhe mjetet përkatëse të menaxhimit strategjik për të vaksinuar popullatën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Më tej, Dollenberg thekson rëndësinë e vaksinimit.
“Askush nuk mbrohet derisa të mbrohen të gjithë, prandaj ne ju bëjmë thirrje të bëni atë që mundeni dhe çfarë është e drejtë për të siguruar që grupet e pranueshme të popullsisë në këto vende të kenë akses dhe të mbulohen në mënyrë të përshtatshme programin e vaksinimit. Pra, e nderuar Presidente, si qytetarë të BE-së, ju lutemi që ju si përfaqësuesi ynë të rishikoni pozicionin tuaj dhe të siguroheni që vendet më pak të zhvilluara dhe me të ardhura të ulëta të Evropës Juglindore, të listuara më sipër, të sigurojnë dozat e nevojshme të vaksinës”.
Federata Mjekësore Shqiptare e Evropës është një organizatë e madhe me mbi 3000 profesionistë mjekësorë si anëtarë, shumica e të cilëve janë specialistë të njohur në fushën e tyre, duke përdorur njohuritë e tyre për t’i shërbyer popullatave të vendeve evropiane ku janë vendosur si shtetas. (A2 Televizion)