
Tronditja, konfuzioni dhe frika ka përfshirë radhët e qytetarëve ukrainas që evakuohen drejt qendrës së Kievit, pasi sulmet e ushtrisë ruse dëmtuan dhe shkatërruan banesat e tyre në Irpin. Reporterja e CNN, Clarissa Ward, u takua me të evakuarit që kalojnë përmes një itinerari të rrezikshëm.
Për ditë me radhë, periferia e Irpinit është vënë në shenjestër të bombardimeve ruse. Mund ta shohësh këtë në fytyrat e atyre që po largohen. Lodhje, frikë dhe mirënjohje për ushtarët që i kanë ndihmuar të arratisen. Ura u rrëzua nga ukrainasit për të ndalur forcat ruse të hyjnë në qendrën e qytetit. Por, tani kjo është një tjetër pengesë që duhet kaluar.
Ka pasur breshëri të vazhueshme artilerie që kur kemi mbërritur këtu, 1 orë më parë, dhe radhë të pafundme njerëzish që duan dëshpërimisht të largohen. Natalia na thotë se ishte plagosur vetëm pak orë më herët: “U përpoqëm që të merrnim disa gjëra nga apartamenti, dhe një predhë apo diçka tjetër goditi apartamentin tonë. Unë u lëndova me një copëz të mprehtë”.
Ende në shok, ajo sfidon dhimbjen dhe vazhdon të ecë…
Të tjerë kanë nevojë për më shumë mbështetje. Ushtarët mbajnë një barrelë të improvizuar për të çuar një grua të moshuar në një zonë më të sigurt.
Presidenti Putin thotë se ushtria e tij nuk po godet civilë, por eksodi në Irpin tregon një histroi tjetër. Të gjithë shkojnë ku të munden, përfshirë edhe ne. Një grua e moshuar na kërkon ndihmë, qartazi e çoroditur nga situata kaotike. I mbajmë një prej çantave.
Njerëzit janë tejet të prekur nga situata. Ata janë të frikësuar, të lodhur. Janë në limite. Ata lenë pas çdo gjë që nuk mund ta mbajnë me vete. Nuk e kanë idenë nëse dhe kur do të rikthehen. Një grua na afrohet, tejet e sfilitur: “Kam frikë! Për çfarë bëhet kjo, për çfarë?”.
Kjo nuk është një periferi, është një qytet që ka ndjerë zemërimin rus. Artileri, raketa dhe avionë lufte. Olga Kudlay, e evakuar, thotë: “Avionët po fluturonin dhe mbulova veshët”.
Olga ka jetuar në Irpin per 45 vite: “Ishte aq i bukur, tani u shkatërrua. Çfarë duan të arrijnë, të na ulin në gjunjë?”.
Por, kundër të gjitha parashikimeve, 10 ditë pas nisjes së luftës, Ukraina është ende në këmbë. Një grua pret të evakuohet, dridhet, por e mban veten. “Do ta kalojmë këtë”, thotë. Për qytetarët e Irpinit, udhëtimi është vetëm fillimi. Ata ngarkohen në autobusë dhe stacione treni. Nga aty nuk e dinë se ku të shkojnë më tej... (A2 Televizion)