
Shtetet e Bashkuara janë në diskutim me vendet europiane për ndalimin e importimit të naftës ruse. Lajmin e dha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Kur bëhet fjalë për naftën, naftën ruse, kemi biseduar me Presidentin (Joe Biden) anëtarë të tjerë të kabinetit pikërisht për këtë çështje, dhe tani jemi në bisedime me partnerët dhe aleatët tanë europianë për të gjetur një mënyrë të bashkërenduar perspektivën e ndalimit të importit të naftës ruse, ndërkohë që sigurohemi që furnizimi botëror të jetë në nivel të përshtatshëm”, tha Blinken për CNN.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur disa sanksione kundër Rusisë dhe Vladimir Putin që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës me 24 shkurt. Por nëse ndërmerret hapi i paprecedentë për të sanksionuar naftën ruse, çmimet mund të pësojnë rritje drastike, duke rritur kostot për përdoruesit e mjeteve në të gjithë globin, duke qenë se Rusia është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në botë.
Edhe pse SHBA konsumon shumë pak naftë ruse - importet e dhjetorit ishin në nivelin e 90 mijë fuçive në ditë në dhjetor 2021 - ndërthurja e tregjeve mund të bëjë që kufizimi i furnizimeve në një pjesë të botës të ketë impakt edhe në shtete të tjera.
Për shkak të luftës Rusi-Ukrainë çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka prekur 118 dollarë për fuçi. Ky është edhe niveli më i lartë në 9 vitet e fundit. Në Shqipëri, çmimi i naftës ka arritur shifra rekord, deri në 234 lekë për litër, ndërkohë që një javë më parë ishte deri në 194 lekë për litër.
(A2 Televizion)