“Indianë, afrikanë, arabë, drejtohuni në një kufi tjetër!”, studenti 25-vjeçar ikën nga lufta dhe gjen racizëm

Nga A2 CNN
6 Mars 2022, 15:55 | Bota

“Indianë, Afrikanë dhe Arabë, drejtohuni një kufiri tjetër!”. Kjo ishte thirrja pothuajse e pabesueshme në kufirin me Poloninë, një makth për 25-vjeçarin nigerian Alexander Somto Orah, student në fakultetin e telekomunikimit të Kievit, që prej 4 ditësh endej në mes të ftohtit me dhjetëra bashkatdhetarë të tjerë, përfshirë gra shtatzëna dhe fëmijë.  

Në një rrëfim për gazetën britanike Daily Mail, studenti tregon aventurën e tij të dhimbshme. “Fillova të largohem nga Kievi më 25 shkurt. Diskriminimin e parë e hasa në stacionin e trenit të Kievit. Fillimisht autoritetet thanë se lejonin vetëm gra dhe fëmijë, por ndërkohë gratë dhe fëmijët me ngjyrë ose nga Lindja e Mesme nuk hynin dot, disa kanë pritur 3 ditë në acar, dhe na thoshin troç që ishte për ngjyrën, duhet të jepnim përparësi”, thotë ai.   

Alexander Somto Orah

Pas katër ditësh ecje në drejtim të kufirit polak, nigerianët mbërritën në kufi, po aty erdhi një tjetër surprizë e hidhur. Autoritetet polake, sipas rrëfimit të tij, i mblodhën duke i thënë se afrikanët, personat nga Lindja e Mesme dhe indianët do të duhet të shkonin në një kufi tjetër, mundësisht në atë rumun.

“Mendova se do vdisnim, kishim ditë pa ngrënë dhe disave po i binte të fikët”, tregon Somto, i cili pas shumë diskutimeve arriti të kalojë kufirin. “Do pres sa të mbarojë lufta, ose do gjej ndonjë shkollë tjetër këtu”, thotë tani studenti.

Fillimisht autoritetet thanë se lejonin vetëm gra dhe fëmijë, pro ndërkohë gratë dhe fëmijët me ngjyrë ose nga Lindja e Mesme nuk hynin dot, disa kanë pritur 3 ditë në acar

Episode të ngjashme janë evidentuar edhe nga të tjerë, aq sa kanë reaguar edhe autoritetet ukrainase, që kanë nënvizuar se autoritetet po favorizojnë daljen e shtetasve të huaj, duke mohuar çdo akt racizmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos