
Të paktën 600 mijë turistë, prej të cilëve 150 mijë britanikë, kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit pas falimentimit të tur operatorit “Thomas Cook”. Lajmin e bëri të ditur Autoriteti i Aviacionit Civil në Britaninë e Madhe, që siguroi se qeveria do të të angazhohet për riatdhesimin e shpejtë të tyre.
“Nëse ndodheni përtej detit më pushime të organizuara nga “Tomas Cook”, mund të vazhdoni t’i shijoni, pasi ne po punojmë për procesin e riatdhesimit. Ai do të jetë më i madhi që është ndërmarrë ndonjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Tim Johnson, drejtues i Autoritetit të Aviacionit Civil.
Grupi kinez “Fosun”, i cili kontrollon kompaninë më të vjetër të udhëtimeve në botë, u shpreh i zhgënjyer nga vendimi për të proceduar me falimentimin, pasi propozoi një plan prej 1.1 miliard sterlinash. Ai parashikonte ndër të tjera konvertimin e borxhit prej gati 2 miliardë paundësh në aksione dhe kalimin e kontrollit të linjës ajrore tek kreditorët. Por negociatat e minutës së fundit për të shpëtuar firmën 178 vjeçare dështuan, si pasojë e frikës së situatë ishte shumë e kompromentuar.
“Është një deklaratë që shpresoja të mos e bëja kurrë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe negociatave disamujore, nuk arritëm të siguronim dot një marrëveshje për ta shpëtuar biznesin tonë. Iu kërkoj falje 21 mijë kolegëve dhe të gjithë klientëve”, u shpreh CEO, i “Thomas Cook”, Peter Fankhauser.
Kompania drejtonte hotele, resorte dhe kompani ajrore, duke organizuar udhëtimet për rreth 19 milionë klientë në 16 vende. Ajo gjeneroi 9.6 miliardë paundë në 2018-tën dhe ka të punësuar 21 mijë punonjës. (A2 Televizion)