
Të paktën 35 persona që merrnin pjesë në një ceremoni martesore humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi të armatosur të ushtrisë afgane ndaj një baze ku fshiheshin militantët në jug të provincës Helman.
Sipas zyrtarëve, baza që përdorej nga talebanët për të trajnuar kamikazët ndodhej shumë pranë vendit ku mbahej dasma, i cili u përfshi nga zjarri mbrëmjen e së dielës.
Ministria e Mbrojtjes në një komunikatë të nxjerrë për këtë ngjarje bëri me dije se vendstrehimi i talebanëve që u sulmua përdorej dhe nga të huajt që punonin për këtë degë të grupit islamik.
“Në një operacion të përbashkët në distriktin e Musa Qala në Helmand, u vranë 22 anëtarë të talebanëve dhe 14 të tjerë u arrestuan, mes tyre dhe 5 shtetas nga Pakistani dhe Bangladeshi”, shkruhet në komunikatën e ministrisë.
Talebanët, nga ana e tyre, deklarojnë se forcat afgane që ndërmorën këtë sulm gjatë natës, mbështeteshin dhe nga trupat amerikane. Burime lokale deklarojnë se bilanci i viktimave mund të rritet në orët në vazhdim pasi shumë nga të lënduar janë në gjendje të rëndë. (A2 Televizion)