
Paratë e emigrantëve janë të papërfillshme përballë parave që kërkojnë të përfitojnë nga amnistia fiskale, e që i takojnë bizneseve të pandershme. Ndërsa përfitimet nga kjo nismë, zbehen përballë dëmeve që mund t’i shkaktohen tregut të lirë dhe ekonomisë.
Për kë po bëhet amnistia fiskale? Kjo është pyetja që ngrenë ekspertët, teksa sinjalet gjithmonë e më shumë çojnë tek kompanitë. “Ka një lloj devijimi. U nis ndryshe, u propagandua si diçka që do të kishte lidhje me kapitalet a krijuara nga puna jashtë Shqipërisë, tani duket që është zhvendosur te biznesi”, thotë për A2 CNN, ish-zv.drejtori i Tatimeve, Flobenc Dilaveri.
Për të, evazioni fiskal në Shqipëri është tepër i lartë, aq sa edhe një nismë e tillë nuk do i jepte zgjidhje problemit. Të pakënaqurit janë të ndershmit, ata që i paguajnë rregullisht taksat. Konkurrentët e tyre kanë përfituar në mënyrë informale dhe tani iu falen “mëkatet”.
Të shqetësuar, mbi të gjithë, janë investitorët e huaj dhe ata potencialë që mundtë kërkonin të bënin biznes në Shqipëri. Një ligj i tillë mund t’i dëmtonte, në një treg ku bizneset kryejnë evazion fiskal dhe nuk dënohen, e ku rreziku i pastrimit të parave është i lartë.
“Disa nga ato firma të huaja që mund të investojnë këtu, mund të kishin thënë “jo nuk mund të vijmë momentalisht në Shqipëri”, sepse mund të legalizojnë diçka që mund të duket si pastrim parash”, thotë Mark Crawford, ish-president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon në vend të amnistisë, një program vetëdeklarimi vullnetar, ku të mos shmangej pagesa e asnjë qindarke në taksa të papaguara. Por edhe në këtë rast vendi nuk plotëson dy kushtet parësore: një administratë tatimore kompetente dhe një kornizë efektive për luftën kundër pastrimit të parave. Përkundrejt pengesave dhe shqetësimeve të shtruara, qeveria nuk tërhiqet nga ky projekt. (A2 Televizion)