
Qeveria duhet të heqë dorë nga amnistia fiskale. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk lëviz nga qëndrimi kundër kësaj nisme, e cila sipas Misionit edhe në një version më të zbutur, nuk ka gjasa për sukses. Në mbyllje të misionit të radhës në Shqipëri, përfaqësuesit e fondit dalin kundër opinionit të qeverisë për faljen fiskale dhe penale të fshehjes së pasurisë.
“Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen”.
FMN rekomandon ndryshimin e amnistisë në një program deklarimi vullnetar, që detyron pagesën e të gjitha taksave të shmangura ndër vite. Por edhe në këtë rast, sërish Shqipëria nuk i plotëson dy kushtet për të qenë e suksesshme: 1. Administratën tatimore kompetente dhe 2. Mjetet kundër pastrimit të parave.
“Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër amnistisë, që në draftin e parë të saj në vitin 2020. Kundër janë shprehur edhe Komisioni Europian, dhomat e tregtisë në vend, shoqata e bankave dhe opozita. (A2 Televizion)