Rritja e çmimeve nuk ka prekur ende kulmin, teksa shtrenjtimi ka nisur të përhapet në më shumë mallra. INSTAT deklaron se për muajin shtator inflacioni ka arritur në nivelin 8,1%, nga ku ushqimet janë burimi kryesor i shtrenjtimit.
Edhe pse shifra e inflacionit fiksohet në 8,1%, tek ushqimet dhe pijet rritja është plot 14%. Më së shumti në treg janë shtrenjtuar vajrat me 30%, qumështi, bulmetet dhe vezët me 24%, buka dhe drithërat me 17,3% dhe mishi me 12%.

Duke konsideruar se ushqimet zënë thuajse gjysmën e shpenzimeve të një familjeje, përballimi i jetesës po bëhet më i vështirë. Pjesa më e madhe e inflacionit vjen prej çmimeve të importit, një arsye për ekspertët që të merren masa për mbështetjen e produktit vendas. Lehtësim nga çmimet nuk parashikojnë në horizont as Banka e Shqipërisë, e as Fondi Monetar Ndërkombëtar, që presin një rënie të inflacionit nën 3%, vetëm në vitin 2024. (A2 Televizion)