
Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dhënë kohë deri të hënën gjyqtarit Ardian Dvorani për të paraqitur qëndrimin e tij, nëse duhet të vijojë apo jo të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë.
Problematika e vijimësisë së mandatit të gjyqtarit Dvorani, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, u ngrit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta më 15 prill. Përmes një shkresë dërguar KLGJ-së kreu i shtetit, i cili prej disa muajsh është përfshirë në një përplasje publike dhe ligjore me gjyqtarin, pretendonte se Dvorani duhet të largohej nga Gjykata e Lartë dhe nga kryesimi i KED.
Sipas presidentit, emërimi në detyrë i tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, përbën shkak ligjor që Dvorani duhet të dorëzojë detyrën. Por, ndërsa Dvorani fitoi kohë për të dhënë qëndrimin e tij, të enjten ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, njoftoi në rrjetet sociale zhvillimin e një takimi me të. “U takova me gjyqtarin Dvorani sot për të diskutuar për rëndësinë e pavarësisë, integritetit dhe eficiencës së institucioneve të drejtësisë. SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht implementimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Ka ardhur koha ta kthejmë harkun e historisë nga drejtësia”.
Përmes këtij relacioni lidhur me letrën e presidentit, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, ia lë në dorë Këshillit të vlerësojë ligjshmërinë ose jo të qëndrimit të Dvoranit në Gjykatën e Lartë, ku ushtron detyrën prej vitit 2005. Mandati kushtetues i Dvoranit në këtë gjykatë ka përfunduar në vitin 2014, por ai vijon detyrën, gati 7 vjet përtej mandati, në pritje të emërimit të pasardhësit.
Tashmë, në kushtet kur janë emëruar tre anëtarë të rinj, por asnjë prej tyre nuk zëvendëson nominalisht Dvoranin do të jetë KLGJ që do të vlerësojë situatën në një mbledhje që pritet të mbahet pas së hënës.
Ndërkohë, SPAK është duke hetuar kallëzimin e bërë nga Meta kundër Dvoranit në dhjetor 2019 për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “përvetësimit të kompetencave” gjatë procedurave të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)