Një delegacion i Partisë Republikane, i kryesuar nga kryetari Fatmir Mediu, ishin të ftuar në Augsburg të Gjermanisë, ku u zhvillua Kongresi CSU (Unioni Kristian-Social).
Gjatë kongresit, zoti Mediu bisedoi me kryetarin e Partive Popullore Europiane, Manfred Weber, me të cilin diskutuan për nevojën e angazhimit të PPE për riorganizimin e opozitës së djathtë me një identitet të qartë politik, por dhe një marrëdhënie që garanton mbështetjen e shqiptarëve dhe partneritetin me BE dhe NATO.





Në takimin me Christian Kattner, Sekretar i Përgjithshëm i IDIU (Internacionales Demokratike), anëtare e së cilës është dhe PRSH, u diskutua për nevojën se përpara takimit të IDU në Washington të ketë një diskutim me përfaqësues të opozitës anëtarë të IDU për arritjen e një marrëveshjeje dhe përballjen e përbashkët në zgjedhjet lokale.
Gjatë Kongresit, zoti Mediu mori pjesë në takime të organizuara dhe diskutime me drejtues të CSU, të cilët shpjeguan qëndrimet e Gjermanisë për zhvillimet gjeopolitike, sigurinë, energjinë, konfliktin në Ukrainë dhe nevojën për një rol domethënës të Gjermanisë në Europë dhe skenën globale.
Florian Hann, nënkryetar i CSU si dhe zëdhënësi për çështjet e sigurisë, i cili e njeh mirë situatën në Shqipëri dhe është mbështetës i antarësimit të Ballkanit në BE, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Gjermanisë me Ballkanin, duke konsideruar rrezik real influencën e Rusisë dhe Kinës në rajon.
Po në të njëjtin qëndrim, z.Thomas Erndl, nën/kryetar i politikës së jashtme në Bundestag, vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit. Ai vuri theksin së çdo bashkëpunim rajonal në Ballkan duhet patjetër të ndërtojë mekanizmat për të ndaluar ndërhyrjen dhe influencën e Rusisë dhe Kinës në rajon, përndryshe ato vijnë ndesh me BE dhe NATO. Ai theksoi se Procesi i Berlinit është projekti rajonal më i rëndësishëm, i cili i shërben të ardhmes europiane të Ballkanit. (A2 Televizion)