
Qeveria mori përsipër të subvencionojë një pjesë të çmimit të energjisë për bizneset në tensionin e mesëm, por as shteti dhe as kompanitë publike të energjisë nuk po bëjnë transparencë për çmimin që i faturojnë sot për dritat. Sipas ekspertit për energjinë, Eduart Elezi, duhet shpjeguar se si është llogaritur ky çmim për të shmangur abuzimet.
Sipas të dhënave zyrtare, fundvitin e shkuar, konsumi i energjisë arriti në 2.1 TWh, nga të cilat 850 GWH u furnizuan nga hidrocentralet publike, 730 GWh nga hidrocentralet private dhe 543 GWh ishte import neto, pra diferenca midis importeve dhe eksporteve.
Nëse për bizneset përdoret energjia e shtrenjtë që blihet dhe çmimi i ulët i prodhimit nga KESH përdoret për konsumatorët familjarë, sipas ekspertit Elezi, atëherë me këtë logjikë këta të fundit do të duhet të paguanin më pak.
Vitin e shkuar, Shqipëria rezultoi një eksportues neto i energjisë, por kompania publike OSHEE mbarti një humbje prej 116 milionë eurosh, sipas administratorit të saj, prej rritjes së çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare. (A2 Televizion)