
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave i ka dhënë sot dritën jeshile dhënies pa recetë të pilulës kontraceptive Opill në SHBA.
"Aprovimi i sotëm shënon herën e parë që një kontraceptiv oral ditor pa recetë do të jetë një opsion i disponueshëm për miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara," tha në një deklaratë Dr. Patrizia Cavazzoni, drejtoresha e Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave të FDA- së .
“Kur përdoret sipas udhëzimeve, kontracepsioni ditor oral është i sigurt dhe pritet të jetë më efektiv se metodat kontraceptive të disponueshme aktualisht pa recetë në parandalimin e shtatzënisë së padëshiruar.”
Prodhuesi i saj, Perrigo, në një deklaratë për mediat, e cilësoi vendimin e FDA-së një "hap gjigant për fuqizimin e grave".
“Miratimi i sotëm është një zgjerim novator për shëndetin e grave në SHBA dhe një moment historik i rëndësishëm drejt adresimit të një nevoje kyçe të paplotësuar për aksesin e kontraceptivëve,” tha Frederique Welgryn, nënpresidente globale e Perrigo për shëndetin e grave.
Opill pritet të jetë në dispozicion pa recetë në dyqane deri në fund të marsit 2024.
Në një konferencë shtypi të enjten, Welgryn tha se Perrigo është "i përkushtuar për të siguruar që Opill të jetë i përballueshëm dhe i arritshëm për njerëzit që kanë nevojë për të".
Çmimi i sugjeruar me pakicë do të komunikohet në muajt e ardhshëm. FDA është përballur me presion për të lejuar që Opill të jepet pa recetë nga ligjvënësit, si dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor. (A2 Televizion)