"Feltz Bagels" në Nju-Jork, ekspozitë me produkte prej gome

Nga A2 CNN
31 Gusht 2023, 15:48 | Bota
"Feltz Bagels" në Nju-Jork, ekspozitë me produkte prej gome

"Feltz Bagels" është pastiçeria më e re në Montauk, Nju-Jork, dyqani me bageta e ëmbëlsira, të gjitha të përbërë nga goma, edhe pse të japin përshtypjen e një dyqani krejt real, me produkte reale, gati për të konsumuar. Çdo seksion është i ndarë sipas motiveve, ngjyrave, historikut të tij.

Kjo pasticeri e vogël, por që po përflitet kaq shumë mes njujorkezëve të vegjël e të rritur, është ekspozita e radhës e Lucy Sparrou, artistes që zgjodhi Nju-Jorkun, për të sjellë një dyqan krejt ndryshe dhe për të çuar përpara aventurës e radhës, pasi kishte provuar më herët një farmaci, një supermarket dhe një dyqan me materiale të ndryshme, të gjitha prej gome.

Brenda furrës dhe dyqanit, mund të gjesh gjithçka, nga bagetat, kroasantët, ëmbëlsirat e ndryshme, të cilat ngjajnë nga vitrina aq reale, sa klientët hyjnë brenda me mendimin që do shijojnë diçka shumë të mirë.

Secila prej tyre është e punuar me dorë. Ky instalacion artistik i ka marrë Lucyt 8 muaj kohë për ta përfunduar, ashtu siç ajo e kishte konceptuar që në nisje.

Lucy fton këdo, që të rrëmbejë sa më parë diçka nga dyqani i saj, madje kush dëshiron, edhe mund të krijojë me to, një koleksion unik.

"Feltz Bagels" do të qëndrojë hapur për kuriozët si një galeri arti, për të adhuruar nga afër këtë art, por edhe për të blerë dicka, si një kujtim.

Përshëndetje, emri im është Lucy Sparrou dhe kam hapur këtu në Nju-Jork, një dyqan që quhet “Feltz Bagels”, që është më shumë sesa thjesht një furrë e pastiçeri me bageta. Është thuajse një instalacion arti. Kjo është shfaqja ime e 13. Është e gjashta në Amerikë, pjesa tjetër është e Europës. Kur vjen tek “Feltz Bagels” ti mund të zgjedhësh mes 3 llojeve të ndryshme të bagetave dhe mund ta mbushësh me çfarë të duash brenda. Mendoj se lehtësisht mund të gjesh një bagetë  me gjithçka, mund ta mbushësh me cfarëdolloj produkti. Psh një nga opsionet është mish i kriposur, djath amerikan, turshi, djath zvicerian, ndoshta pak marule. Ose mund të krijosh, tej imagjinatës, mish me qepë dhe pak salcë picante. Mund ti vësh bagetës, firmën tënde. Në dyqanin tim mund të krijosh bagetë me 2 milionë e 300 mijë kombinime të ndryshme, të gjitha prej gome.”

“Më ka mahnitur gjithnjë ana lindore e Manhatan, ka shumë larmi, edhe kur flasim për bare e restorante, ka delikatesa të shumëllojshme, ka dyqane që shesin vetëm bageta, ka një lloj përqendrimi të ushqimit real, atë që njerëzit kërkojnë në përditshmëri. Ndaj mendova që përshtatja me atë që unë ofroj, do të ishte më e lehtë. Ndoshta njerëzit mund të kenë nostalgji për bagetën tradicionale por unë doja të sillja një lloj koncepti të ri, të bagetës njujorkeze dhe mendova: do shuajmë çdo dilemë për bagetën në Nju-Jork.”

“Bagetat janë të dashura në Europë por edhe njujorkezët që e kanë provuar, e sigurte që ndjejnë nostalgji. Bageta na kthen pas në kohën e fëmijërisë, kur gjërat i mendonim shumë lehtë. Plus që në dyqanin tim, edhe çmimet janë shumë të përballueshme. Është gati gati një punë artistike e mirë. Çdokush mund të vijë, të blejë bageta, madje edhe t'i koleksionojë, ju siguroj që është shumë qejf dhe sinqerisht, kur i sheh, janë të parezistueshme.”

“Kreativiteti i artistes që ka ideuar këtë dyqan, është përtej mahnitëses. Futesh në një dyqan me bageta reale, me ëmbëlsira reale, me pasta të shumëllojshme, me karamele, sallatra, kafe reale dhe kur ecën, vazhdojnë të duken si reale. Dhe thua: a mund të porosis një kafe? Por në fakt, është gjithcka gomë. Dhe artistja aty buzëqesh e duket shumë e lumtur. Futesh këtu, sheh gjithë këto ngjyra dhe thjesht nuk e ndan dot realen nga loja”, shprehet Carol, kliente. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos