
Ferrari pranon se ka zhvilluar bisedime me kampionin e botës Lewis Hamilton, për t’u bashkuar me ta në të ardhmen. Shefi ekzekutiv i skuderisë italiane, Louis Carey Camilleri, tha në një konferencë për mediat se Hamilton kishte biseduar për këtë mundësi me presidentin John Elkann.
Camilleri tha se Ferrari ndihej shumë e vlerësuar që në veçanti Hamilton, por edhe pilotë të tjerë, duan të bashkohen me të. “Në këtë fazë gjithçka është e parakohshme, por në kohën e duhur do të konsiderojmë alternativat dhe do të shohim çfarë është më mirë për ne”, tha Camilleri.
Ai shtoi se takimi mes pilotit britanik dhe Elkann kishte ndodhur në një festë ku të dy ishin të pranishëm pasi kishin miq të përbashkët.
Hamilton, 35 vjeç, ka edhe një sezon kontratë me Mercedes, gjatë së cilës do të kërkojë të fitojë titullin e shtatë kampion bote, për të barazuar rekordin e Michael Schumacher, një tjetër piloti legjendar të Ferrari-t. Më herët ai nuk ka konfirmuar, por as mohuar, se ishte takuar me Elkann, por në 1 dhjetor tha se tani ishte koha që të llogariste me kujdes lëvizjen e ardhshme në karrierë. (A2 Televizion)