Vladimir Putin ka mbajtur këtë të premte një fjalim para mijëra të rinjve në stadiumin “Luzhniki” në Moskë, të zhvilluar për 8-vjetorin e aneksimit të Krimesë.
Daily Mail e quajti këtë organizim në Moskë si “festa e luftës së Putin”, në një kohë kur prej 23 ditësh Rusia vijon agresionin e saj në Ukrainë, ku janë vrarë me mijëra persona. Po ashtu, kjo është quajtur edhe si një përpjekje për të rritur mbështetjen teksa ushtria ka ngecur në Ukrainë, mes problemeve të shumta e moralit të ulët.
Policia në Moskë bëri të ditur në një deklaratë se deri në 200 mijë persona ishin të pranishëm brenda dhe rreth stadiumit ku u mbajt finalja e botërorit të futbollit në vitin 2018.
Në fjalën e tij, Putin foli për ndarjen e një “fati të përbashkët” me qytetarët e Krimesë, për denazifikimin e rajonit në vitin 2014 dhe për trimërinë e ushtarëve që aktualisht janë duke luftuar në Ukrainë. (A2 Televizion)