
Socialistët kanë më shumë se kurrë arsye për të festuar 32-vjetorin e partisë, pas fitores së shënuar në zgjedhjet vendore, ku thyen demokratët edhe në bastionet e tyre historike si Tropojë e Shkodër.
Himni i fushatës zgjedhore u rikthye i përzier me kërcimet e kryesocialistit, mesazhet elektorale dhe ato të falenderimit për çdo bashki të fituar.
Socialistë të rinj dhe të vjetër u bënë pjesë e festës. Kryesocialisti Edi Rama kishte zgjedhur që në të majtën e tij të kishte Gramoz Ruçin, ndërsa në krahun e djathtë Damian Gjinurin, Sekretarin e Përgjithshëm të partisë.
Edhe pse e cilësoi historike fitoren, kryeministri foli për një fillim të ri, me ambicien për të rrëmbyer një mandat të katërt në vitin 2025. Por, për këtë, sipas tij, duhet punë.
Në fjalimin e gjatë, kryesocialisti Rama u ndal edhe tek çështja e Kosovës dhe konflikti aktual. Përtej Kosovës, Serbisë apo BE, si palë në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat nuk presin draft prej tij, Rama tha se ka të tjerë që e kanë pritur me entuziazëm propozimin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. (A2 Televizion)